Sport

Finalja e Kupës së Botës për Klube: Maresca lavdëron PSG-në dhe Luis Enriquen, premton futboll sulmues

Vetëm pak orë para finales së madhe të Kupës së Botës për Klube, trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka vlerësuar lart kundërshtarin e radhës, Paris Saint-Germain, dhe trajnerin e tyre, Luis Enrique, duke e përshkruar si njërin nga dy trajnerët më të mirë në botë, krahas Pep Guardiolës.

Në konferencën për shtyp të mbajtur në MetLife Stadium të New Jersey-t, aty ku të dielën në ora 21:00 do të zhvillohet finalja, Maresca nuk i kurseu fjalët e mira për ekipin francez.

“PSG është një skuadër e jashtëzakonshme dhe trajneri i tyre është më i miri, së bashku me Pepin,” deklaroi trajneri italian, duke theksuar dominimin e PSG-së si në Ligën e Kampionëve, ku mposhtën Interin 5-0, ashtu edhe në këtë turne të ri me 32 ekipe.

Pavarësisht respektit të madh për kundërshtarin, Maresca tha se Chelsea do t’i qëndrojë besnik stilit të vet të lojës.

“Na pëlqen të kemi topin në zotërim, dhe edhe atyre po ashtu. Ata ushtrojnë presion lart, ashtu si ne. Besoj se do të jetë një ndeshje me sulme të vazhdueshme nga të dyja palët,” u shpreh ai, duke shtuar se ka analizuar në detaje PSG-në për të zbuluar pikat e tyre të dobëta.

Chelsea ka ardhur në këtë finale pas një sezoni të suksesshëm, duke përfunduar në vendin e katërt në Premier League dhe duke fituar Conference League kundër Real Betis. Kjo u ka dhënë mundësinë të marrin pjesë në Kupën e re të Botës për Klube, që për herë të parë po mbahet në Shtetet e Bashkuara.

“Arritja më e madhe është se para një viti njerëzit flisnin më shumë për paratë sesa për futbollin kur përmendej Chelsea. Tani flasin për futbollin tonë,” theksoi Maresca, i cili shtoi se atmosfera në dhomën e zhveshjes është e jashtëzakonshme.

“Nisëm me 32 skuadra dhe tani kanë mbetur vetëm dy. Është një privilegj të jemi këtu,” tha ai.

Finalja pritet të jetë një duel taktik mes dy trajnerëve me filozofi të ngjashme, ku në qendër të vëmendjes pritet të jetë edhe Luis Enrique, i cili gjithnjë e më shumë po konsiderohet si një nga emrat më të mëdhenj të futbollit modern.

“Do të jetë si një lojë shahu… por duam edhe ta shijojmë,” përfundoi Maresca, duke paralajmëruar një mbrëmje spektakolare futbolli.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button