Vëllai i Agon Zejnullahut: Drejtësia është e drejtë, jo privilegj – kërkojmë hetim të plotë

Në qytetin e Lipjanit sot është mbajtur një protestë paqësore për rastin e vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën gjatë ndërhyrjes së pesë zyrtarëve policorë të Kosovës, teksa po tentohej arrestimi i tij.
Protestuesit, përfshirë familjarë, qytetarë dhe aktivistë, u mblodhën fillimisht para objektit të Komunës së Lipjanit, për të marshuar më pas drejt stacionit të Policisë. Ata mbanin pankarta dhe thërrisnin slogane si: “Drejtësi për Agonin” dhe “Poshtë brutaliteti policor”.
Në një fjalim të mbajtur gjatë protestës, vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu, kërkoi drejtësi dhe transparencë nga institucionet:
“Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje, jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Sot jemi këtu për Agonin, një djalë, një jetë, një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë. Agoni nuk është vetëm një emër, është simbol i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent, kërkojmë përgjegjësi, veprim ligjor, jo heshtje institucionale.”
Familja e Agonit dhe qytetarët kërkojnë që rasti të mos mbetet në heshtje dhe që të gjithë përgjegjësit të përballen me ligjin. Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe po pritet që autoritetet përgjegjëse të japin sqarime të detajuara mbi rrethanat e vdekjes së Zejnullahut.