Erald Çinari shpallet kampion në Armeni me Noah – Sezon fantastik për sulmuesin shkodran

Erald Çinari po përjeton një moment të artë në karrierën e tij futbollistike. Vetëm një sezon i ka mjaftuar në kampionatin armen për të lënë gjurmë të thella dhe për t’u shpallur kampion i Armenisë me skuadrën Noah, një sukses historik për klubin.
Skuadra e Noah siguroi titullin kampion pas një fitoreje vendimtare ndaj rivalëve të Pyunik Jerevanit me rezultatin 2-1, duke vulosur triumfin matematik në këtë edicion. Çinari u aktivizua në minutën e 64-t të takimit, duke dhënë kontributin e tij në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Bilanci i sulmuesit shkodran në kampionat është mbresëlënës: 13 gola dhe 9 asistime në 23 ndeshje, statistika që e konfirmojnë si një nga lojtarët kyç të këtij suksesi.
Titulli i fituar është i pari në historinë e klubit Noah në kampionatin armen. Më parë, kjo skuadër kishte fituar një Kupë dhe një Superkupë, por trofeu i kampionatit është kurorëzimi më i madh në historinë e tyre, me një emër shqiptar mes protagonistëve kryesorë.
Një sezon për t’u mbajtur mend për Erald Çinarin dhe një faqe e re suksesi për klubin Noah.