Toni Kroos “mahnitet” nga Lamine Yamal: Është e pamundur ta ndalosh, gjithmonë gjen pasimin e duhur

Ish-mesfushori gjerman, Toni Kroos, ka shprehur admirimin e tij për talentin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal, duke e cilësuar atë si një nga futbollistët më të vështirë për t’u ndalur në fushë.
Në një deklaratë për media, Kroos theksoi aftësitë e jashtëzakonshme teknike dhe vizionin e lojës që posedon 17-vjeçari, duke veçuar mënyrën e tij të driblimit dhe zgjuarsinë për të dhënë pasimin e duhur në momentin e duhur.
“Sinqerisht, është shumë e vështirë të ndalësh Lamine Yamal, duhet ta them këtë. Driblimi i tij është i ndërlikuar, por kur ai futet në zonë dhe zgjedh të pasojë kur të gjithë presin që do të driblojë, është e vështirë për mbrojtësit. Ai gjithmonë gjen pasimin e duhur dhe e ndjek aksionin për ta marrë përsëri topin,” u shpreh Kroos.
Gjermani shtoi se Yamal ka dhënë rreth 25 asistime këtë sezon, një shifër mbresëlënëse për një futbollist kaq të ri në moshë. Kroos përmendi edhe ndeshjen ndaj Interit, ku ndonëse Barcelona ishte në disavantazh 0-2 në pjesën e parë, Yamal dha sinjale pozitive dhe motivoi bashkëlojtarët.
“Në pushim ai shkoi te shokët e skuadrës dhe u dha energji pozitive. Edhe pse është vetëm 17 vjeç, tregoi maturi dhe dëshirë për të shijuar lojën, edhe në momente me shumë presion,” tha Kroos, duke përfunduar me vlerësimin se Yamal kërkon gjithmonë topin dhe nuk dorëzohet asnjëherë.
Me performanca të tilla, Lamine Yamal po dëshmon se është një nga premtimet më të mëdha të futbollit europian.