Lajme
Ekstradohet nga Kroacia në Shqipëri shtetasi i shpallur në kërkim për trafik droge

Interpol Tirana ka finalizuar me sukses një operacion ekstradimi nga Zagrebi në Shqipëri, duke sjellë në vend shtetasin Agustin Lleshi, 51 vjeç, lindur në Lezhë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Lleshi ishte në arrati që prej vitit 2023, kohë kur Gjykata e Lezhës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike të llojit Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, ngjarje e ndodhur pranë mbikalimit të Rrëshenit dhe goditur nga Policia vitin e kaluar.
Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se tashmë Lleshi ndodhet në Shqipëri dhe do të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë mbi të.