Bota

Britania përballet me kërcënim në rritje nga Irani, paralajmërojnë ligjvënësit britanikë

Britania e Madhe po përballet me një kërcënim serioz dhe në rritje nga Irani, i cili, edhe pse nuk është në të njëjtën shkallë si Rusia apo Kina, paraqet rreziqe të shumta ndaj sigurisë kombëtare, paralajmëruan të enjten ligjvënësit britanikë në një raport të Komitetit Parlamentar për Inteligjencë dhe Siguri.

Sipas raportit, kërcënimi iranian përfshin sulme fizike, atentate ndaj disidentëve dhe objektivave hebraike, spiunazh, sulme kibernetike dhe përpjekje për zhvillimin e armëve bërthamore. Kryetari i komitetit, Kevan Jones, tha se Irani është i pranishëm në “të gjithë spektrin e kërcënimeve për të cilat duhet të shqetësohemi”.

Ligjvënësit kritikuan qeverinë britanike për fokusimin kryesisht te programi bërthamor i Iranit dhe menaxhimi i krizave, duke neglizhuar kërcënimet e tjera të rëndësishme. Raporti sugjeron gjithashtu shqyrtimin e mundësisë për ndalimin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në Britani.

Ambasada iraniane në Londër hodhi poshtë raportin si “të pabazë dhe politikisht të motivuar”, duke e cilësuar si rrezik për marrëdhëniet diplomatike.

Sipas të dhënave të siguruara për komitetin, agjencia britanike e inteligjencës MI5 dhe policia kanë parandaluar që nga janari i vitit 2022 mbi 20 plane iraniane për rrëmbime ose vrasje në Britani.

Në mars, Britania po ashtu kërkoi që Irani të regjistrojë çdo aktivitet për ndikim politik në vend, për shkak të aktiviteteve agresive të shtetit iranian në Britani. Shërbimet e sigurisë thonë se Teherani përdor edhe grupe kriminale për të vepruar në territorin britanik.

Në një rast të fundit, dy shtetas rumunë u akuzuan për sulmin me thikë ndaj një gazetari persian në Londër, ndërsa tre iranianë po përballen me akuzat për bashkëpunim me inteligjencën iraniane dhe planifikim dhune ndaj gazetarëve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button