Fundjava sjell mot të nxehtë dhe me diell – temperaturat arrijnë deri në 35°C të hënën

Kosova pritet të përjetojë një periudhë me mot kryesisht të qëndrueshëm dhe rritje graduale të temperaturave përgjatë ditëve në vijim.
Të premten do të mbretërojë mot stabil, me alternime të vranësirave dhe intervale të gjata me diell. Pas një mëngjesi të freskët, me temperatura minimale nga 9°C deri në 12°C, orët e mesditës do të sjellin rritje të lehtë të temperaturave maksimale. Ato do të luhaten ndërmjet 24°C e 25°C në Rrafshin e Kosovës dhe Anamoravë, ndërsa në Dukagjin priten deri në 27°C. Do të fryjë erë nga veriu dhe verilindja me intensitet të lehtë deri mesatar, nga 5 deri në 10 m/s.
Fundjava sjell kthjellime dhe mot më të nxehtë. Temperaturat do të vijojnë të rriten, duke arritur deri në 30°C e 32°C gjatë ditës së diel. E hëna parashihet të jetë gjithashtu me diell dhe shumë e nxehtë, me temperatura maksimale që lokalisht mund të shkojnë deri në 33°C e 35°C.
Ndryshime parashihen të martën, kur në disa zona të vendit do të ketë zhvillime të rrebesheve dhe bubullimave, kryesisht gjatë orëve të pasdites. Temperaturat do të pësojnë rënie të lehtë, duke zbritur në 29°C e 30°C. Minimalet gjatë kësaj periudhe do të luhaten nga 10°C deri në 16°C.
Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi dhe perëndimi gjatë fundjavës, me intensitet të lehtë deri mesatar, 3-8 m/s, ndërsa nga e hëna do të ndryshojë drejtim duke fryrë nga krahu verior.