Agim Krasniqi: Pushteti nuk është për bllokadë, por për funksionalitet

Agim Krasniqi ka reaguar për situatën institucionale në vend, duke theksuar se pushteti nuk është privilegj i subjekteve politike, por mandat i deleguar nga qytetarët.
Ai thekson se ky mandat nuk përfundon me votën, por fillon pikërisht aty, me detyrimin për të garantuar funksionimin e institucioneve dhe stabilitetin e rendit juridik. Sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e njeh bllokadën si opsion politik, por funksionalitetin si obligim.
Krasniqi paralajmëron se vonesat e gjata në konstituimin e institucioneve përbëjnë një zhvendosje të rrezikshme nga ushtrimi i përgjegjshëm i pushtetit drejt përdorimit të tij për kalkulime afatshkurtra.
Ai shton se në këto rrethana, legjitimiteti nuk matet vetëm me votë, por me aftësinë për të respektuar rendin që e legjitimon vetë pushtetin.
Sipas tij, pasojat prekin drejtpërdrejt qytetarët, duke prodhuar pasiguri, lodhje psikologjike dhe paqartësi për të ardhmen, ndërsa ciklet e shpeshta zgjedhore dhe vonesat institucionale sjellin kosto jo vetëm politike, por edhe sociale.
Në fund, ai thekson se pushteti në demokraci nuk matet me aftësinë për të bllokuar, por me aftësinë për të ndërtuar, duke shtuar se kush nuk arrin të ndërtojë institucione, nuk ka të drejtë morale të kërkojë pushtet.



