Aeroporti i Mynihut lë në ‘ajër’ Ramën, gjermanët tërhiqen nga projekti në Vlorë
Pas protestave të organizatave mjedisore të Shoqërisë civile dhe kundërshtive nga Bashkimi Europian, Kompani Prestigjoze e Aeroporit të Mynihut është tërhequr përfundimisht nga bashkëpunimi me Shqipërinë për Aeroportin e Vlorës.

Tre vjet më parë, teksa inauguronte nisjen e punimeve për Aeroportin e Vlorës, Kryeministri Edi Rama deklaronte se porta e re ajore e Shqipërisë do të bëhej operacionale në bashkëpunim me Aeroportin e Mynihut. Por kompania gjermane detyrohej të reagonte në atë kohë, duke u shprehur se kishte vetëm rol këshillues.
Megjithatë, Edi Rama përsëriti të njëjtin qëndrim edhe disa javë më parë teksa ndodhej në Berlin, ku shprehej se Aeroporti i Vlorës do të menaxhohej madje nga aeroporti i Mynihut.
Dhe duket se këto deklarata të kryeministrit të Shqipërisë, kanë revoltuar zyrtarët e Aeroportit të Mynihut, të cilët këtë të martë kanë marrë një vendim drastik për të hequr dorë edhe nga ofrimi i konsulencës për aeroportin e Vlorës teksa vendimi është marrë në Këshillin Bashkiak të Mynihut, raportojnë mediat gjermane.
“Qeveria vendore po ecën përpara me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës – pavarësisht rezistencës së ashpër nga konservatorët vendas dhe kritikave nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Projekti ka një lidhje me Mynihun: filiali i Munich Airport GmbH, Munich Airport International (MAI), është duke vepruar si këshilltar. Siç u njoftua në Këshillin Bashkiak të Mynihut të martën (8 prill), MAI do të tërhiqet nga ky pozicion në fund të prillit. Të Gjelbrit e mirëpresin këtë në një deklaratë, por paralajmërojnë se angazhime të tilla të diskutueshme duhet të shmangen në të ardhmen.” thuhet në deklaratë.
Ky vendim është mirëpritur nga Partia E Gjelbërt në Gjermani por edhe anëtarë të tjerë të Këshillit Bashkiak të Mynihut të cilët shprehen se projekti për Aeroportin e Vlorës është i kritkuar në të gjithë Evropën. Përveç Parlamentit të BE-së dhe Komisionit, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës të Këshillit të Evropës i ka bërë gjithashtu thirrje qeverisë në Tiranë që të ndalojë ndërtimin. Organizatat lokale mjedisore kanë ndërmarrë veprime ligjore kundër projektit. Ata kanë frikë se një nga zonat e fundit natyrore të Evropës dhe mjetet e jetesës së specieve të rralla të shpendëve do të shkatërrohen në mënyrë të pakthyeshme.