Opinione

NENI 31 I LIGJIT PËR SHTETËSINË/ A PO HAPET NJË DERË PËR NDRYSHIME DEMOGRAFIKE NË KOSOVË?

 

Nga: Dr. Agim A. Krasniqi – Jurist, Studiues i Administratës Publike dhe Analist i Politikave Publike

Në mesin e shumë zhvillimeve politike, ekonomike dhe zgjedhore që po e dominojnë debatin publik në Kosovë, një çështje me rëndësi të veçantë shtetërore ka kaluar pothuajse pa vëmendjen e merituar. Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, i miratuar së fundmi nga Kuvendi i Kosovës.

Në shikim të parë, ky ligj mund të duket si një akt juridik teknik që rregullon mënyrat e fitimit, regjistrimit, rifitimit dhe humbjes së shtetësisë.

Megjithatë, një analizë më e kujdesshme e dispozitave të tij, tregon se ai prek drejtpërdrejt ndër elementet më të rëndësishme të shtetësisë moderne: përkufizimin e trupit qytetar të shtetit.
Pikërisht për këtë arsye, vëmendje të veçantë meriton Neni 31 i ligjit, i cili përcakton:
“Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës me datën 1 janar 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë.”

Në parim, njohja e lidhjes juridike me personat të cilët kanë qenë banorë të Kosovës para luftës, mund të konsiderohet si përpjekje për të rregulluar çështje të pazgjidhura historike dhe administrative. Mirëpo, formulimi i kësaj dispozite ngre disa pyetje serioze, të cilat kërkojnë përgjigje publike dhe institucionale.

Pyetja e parë është: kush janë përfituesit realë të kësaj dispozite?

A bëhet fjalë vetëm për ata qytetarë të cilët kanë qenë tradicionalisht banorë të Kosovës dhe pasardhësit e tyre, apo dispozita mund të përfshijë edhe kategori të tjera personash që kanë fituar statusin e banorit të përhershëm gjatë periudhave të caktuara politike të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë?

Kjo pyetje nuk është as teorike dhe as e parëndësishme.
Historia e Kosovës është e mbushur me politika të ndryshme të kolonizimit, vendosjes së popullsisë dhe ndryshimit të strukturës etnike. Që nga programet shtetërore të shekullit XIX, të lidhura me doktrinën e njohur të Naçertanisë së Ilija Garašaninit, e deri te politikat e kolonizimit gjatë Mbretërisë Jugosllave dhe periudhave të mëvonshme, ekziston literaturë e gjerë historike e cila dokumenton përpjekjet për ndryshimin e strukturës demografike të Kosovës.

Nuk është sekret historik se gjatë viteve nëntëdhjeta, në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit, janë ndërmarrë politika të ndryshme për vendosjen e popullsisë serbe në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye lind nevoja për një sqarim të plotë institucional.

A mund të përfshihen në kuadër të Nenit 31 edhe persona që janë vendosur në Kosovë gjatë asaj periudhe dhe që kanë pasur status të banorit të përhershëm më 1 janar 1998?

Nëse po, a do të përfitojnë edhe pasardhësit e tyre?
Sa është numri potencial i këtyre personave?
A ka bërë shteti një vlerësim të ndikimit që mund të ketë kjo dispozitë në strukturën demografike të Kosovës?
Deri më tani nuk kemi dëgjuar përgjigje të qarta për këto pyetje.
Paqartësi tjetër lidhet me termin juridik “pasardhës të drejtpërdrejtë”. Ligji nuk përcakton kufij gjeneracionalë. Nuk sqaron nëse bëhet fjalë vetëm për fëmijët, për nipërit dhe mbesat, apo për një kategori më të gjerë trashëgimtarësh biologjikë.
Kjo paqartësi nuk është çështje semantike. Në të drejtën e shtetësisë, çdo fjalë ka pasoja konkrete juridike, administrative dhe politike.

Po aq e rëndësishme është edhe çështja e provave. Vetë ligji ia lë Ministrisë së Punëve të Brendshme përcaktimin e dokumenteve dhe procedurave me të cilat do të vërtetohet statusi i qytetarit të ish-Jugosllavisë dhe banorit të përhershëm të Kosovës më 1 janar 1998.
Kjo do të thotë se pjesa më e rëndësishme e zbatimit praktik të Nenit 31 ende nuk është bërë publike.

Në çdo shtet demokratik, kur bëhet fjalë për shtetësinë, transparenca duhet të jetë maksimale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se sa persona mund të përfitojnë nga një dispozitë e tillë, cilat kategori përfshihen dhe cilat mund të jenë efektet afatgjata të saj.
Kosova nuk është shtet i zakonshëm nga pikëpamja historike dhe politike. Arkitektura kushtetuese e saj, sistemi i përfaqësimit politik, organizimi institucional dhe një pjesë e konsiderueshme e mekanizmave të vendimmarrjes, janë të lidhura ngushtë me përbërjen demografike të vendit.
Për këtë arsye, çdo ndryshim potencial në numrin e shtetasve nuk mund të shihet thjesht si një procedurë administrative.

Ai mund të ketë ndikim në regjistrin civil, në proceset zgjedhore, në përfaqësimin institucional, në planifikimin afatgjatë të politikave publike dhe në zhvillimet demografike të vendit.
Kjo nuk do të thotë se dikujt duhet t’i mohohen të drejtat të cilat i takojnë sipas ligjit. Por po aq e rëndësishme është që çdo vendim I cili prek shtetësinë, të mbështetet në analiza të plota, në transparencë dhe në debat publik.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të paragjykojë qëllimet e ligjvënësit dhe as të vërë në dyshim të drejtat individuale të askujt. Përkundrazi, qëllimi është të ngrejë shqetësimin legjitim publik dhe të kërkojë përgjigje për një çështje që prek drejtpërdrejt të ardhmen e shtetit.
Prandaj, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të publikojnë sa më parë një analizë të plotë të ndikimit të Nenit 31, duke sqaruar numrin potencial të përfituesve, kategoritë që përfshihen, kriteret e verifikimit dhe efektet e mundshme juridike, demografike dhe institucionale.
Shtetësia nuk është vetëm një dokument administrativ. Ajo është lidhja më e fortë juridike ndërmjet qytetarit dhe shtetit. Për këtë arsye, çdo vendim që prek shtetësinë, duhet të trajtohet me kujdes maksimal, me përgjegjësi shtetërore dhe me transparencë të plotë ndaj qytetarëve.
Kosova ka nevojë për përgjigje të qarta. Jo nesër. Sot.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button