Kryesore

Drejtësi Sociale dorëzon ankesa kundër Kryeministrit Rama për gjuhë diskriminuese ndaj grave dhe burrave

Organizata “Drejtësi Sociale” ka depozituar sot dy ankesa zyrtare pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi kundër Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përdorim të gjuhës seksiste dhe denigruese gjatë fushatës elektorale.

Sipas organizatës, Kryeministri ka përdorur terma diskriminues duke i quajtur burrat “cyryk” dhe duke inkurajuar gratë të “përdorin aftësinë joshëse për të bindur burrat të votojnë për Partinë Socialiste”. Këto deklarata, sipas tyre, jo vetëm që janë fyese, por edhe forcojnë stereotipe të dëmshme gjinore në shoqëri.

“Në vend që të respektojë të drejtat e barabarta të grave dhe burrave, Kryeministri i redukton ato në role seksiste – gratë si mjete joshjeje dhe burrat si të pavlefshëm apo pa vullnet të lirë,” thuhet në reagimin e organizatës.

Kërkesat e Drejtësi Sociale për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi janë:

1.Të njohë publikisht gjuhën e përdorur si diskriminuese.

2.Të kërkojë ndjesë publike nga Kryeministri për deklaratat.

3.Të vendoset një standard i qartë për ndalimin e gjuhës diskriminuese në diskursin publik dhe politik.

Organizata thekson se gjuha që përdorin liderët politikë formëson normat shoqërore dhe nuk duhet të tolerohen ofendimet nga figura publike me pushtet.

“Kërkojmë përgjegjshmëri dhe respekt për të gjithë qytetarët, pa dallim gjinor,” përfundon reagimi i Drejtësi Sociale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button