
Kryesocialisti Edi Rama po vijon turin e tij elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, teksa sot ishte në qarkun e Beratit. Kreu i qeverisë zhvilloi takim edhe me gratë dhe vajzat e këtij qarku, një ritual politik i tij që prej ditës së hapjes së fushatës, më 11 prill. Demo: Vetëm PS e çon Shqipërinë në BE, s’e diskutojmë 5 me 2-shin! Ata të tjerët kanë ardhur si turistë. Berat- Kryesocialisti Edi Rama po vijon turin e tij elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, teksa sot ishte në qarkun e Beratit.
Kreu i qeverisë zhvilloi takim edhe me gratë dhe vajzat e këtij qarku, një ritual politik i tij që prej ditës së hapjes së fushatës, më 11 prill.
“Voto 5! Berati është grua, Shqipëria është grua, Europa është grua”, shprehej kryesocialisti pak para se të mbante fjalën e tij, me një postim të shkurtër në rrjetin social. Mes përfaqësuesve që mbajtën fjalën ishte edhe ish-kryebashkiaku Ervin Demo, që dha dorëheqjen për të kandiduar për deputet të qarkut, teksa mban edhe detyrën e drejtuesit politik të PS.
Demo u shpreh se flet para grave dhe vajzave si ish-kryetar i tyre dhe jo si politikan, duke përmendur investimet e realizuara dhe projektet e ardhshme.
“Vetëm qeverisja socialiste e mundëson integrimin e Shqipërisë në BE. Ne do marrim një rezultat spektakolar më 11 maj, ne nuk e diskutojmë 5 me 2-shin. Ata të tjerët që kanë ardhur kanë ardhur si turista dhe do ikin si të tillë. Pesta është numri që i sjell fat këtij qyteti, me 5 mandate për qarkun tonë. kemi një grua në listën e sigurt dhe patjetër që do të nxjerrim edhe një grua të dytë për deputete me rezultatin që do të marrim”, tha ai mes të tjerash.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij vuri theksin te rëndësia e gruas dhe vajzës në parti dhe qeverisje, duke dhënë edhe shifrat e trefishuara deri tani, që nga koha kur erdhi në qeveri. Ai tha se gjysma e kandidateve në listën e mbyllur janë gra dhe 71 kandidate në listën e hapur.
Ai iu përgjigj kundërshtarëve, duke thënë se nuk i shan burrat e djemtë se nuk kanë vlerë, por se Shqipëria ishte vetëm me një këmbë dhe përfshirja e grave dhe vajzave ishte i rëndësishëm për vendin.
Ai solli në vëmendje PD-në, që sipas tij përfaqësohet me Ilir Vrenozin.
“Ilir Vrenozi është fytyra e vërtetë e kënetës dhe fushatës së saj, e patë dje në Korçë, me të gjithë fjalorin vulgar në një sallë të ekzaltuar që do bëjnë Shqipërinë Madhështore, por që përfaqësojnë Shqipërinë e Kënetës”, tha Rama mes të tjerash, duke ironizuar opozitën.
Rama përshëndeti edhe burrat që rinin në këmbë në fund të sheshit ku ishin ulur gratë dhe vajzat, duke kërkuar duartrokitje për ta.
Fjala e Edi Ramës:
“Po të jeni këtu në vendin tim, do shikoni një pamje të bukur. Gratë ulur dhe burrat në këmbë. Kështu ka lezet, një duartrokitje për të gjithë burrat që rrinë në këmbë atje!
Thoshte dikush se ça bëhet kshu sepse vetëm me gratë po i mund Edi Rama ata të tjerët. Por kaq sa jeni ju këtu sot për të dëshmuar këtë betejë me historinë, bufi i kënetës nuk i mbledh dot burra e gra në të gjithë qarkun e Beratit.
Kjo nuk është çështje numrash, por transformimi që e bëmë së bashku. Jo transformim gjinor, por edhe të përfshirjes masive të grave dhe vajzave në qeverisje.
Shqipëria që trashëguam në buzë të humnerës, kishte problem të madh, se qëndronte me një këmbë, nuk e kishte këmbën tjetër, gruan dhe vajzën, njëlloj si burrat. PS kishte vetëm 12% gra, sot ka 40% gra. Por ne nuk duhet të ndalemi këtu, duhet të ecim me të njëjtën vendosmëri, derisa të kemi në PS 50% gra e vajza. Madje më e mira është të kemi një më shumë se burra e djem.
Kemi arritur t’i imponohemi të gjithë politikës shqiptare, duke i kthyer në ligje ato që kemi bërë në partinë tonë. Ndaj kemi 50% gra e vajza në Këshillat Bashkiakë, ndaj edhe në parlament ka më shumë gra sesa dikur kur dukej Kuvendi si odë otomane. Madje kemi një situatë që na vë në pesëshen e parë të Kombeve të Bashkuara. Edhe në administratë kemi më shumë vajza e gra, edhe në negociatat e BE kemi më shumë gra e vajza.
Kjo nuk do të thotë se burrat e djemtë vlejnë më pak, por se gratë dhe vajzat i japin tonin gjithë përpjekjes tonë, me vullnetin dhe durimin e tyre.
Jam krenar që kemi 71 gra e vajza në skuadrën tonë të 11 majit, e në listën e mbyllur kemi mbi 50% gra e vajza, ndryshe nga lista e mbyllur e kënetës me burra.
Por duke votuar për PS gatë dhe vajzat do vijojnë ta mbështesin këtë kurs transformimi dhe zhvillimi.
Nuk mund të jetë partia peng e Ilir Vrenozit, e patë në Korçë, Ilir Vrenozi është programi dhe gjuha e tij është programi i palës tjetër, brutaliteti që u shfaq dje, me gjithë vërtetësinë e vetë, një sallë e ekzaltuar nga fjalori ekstrem, nga diçka që shpërfaqi të gjithë hipokrizinë e të ashtuquajturës Shqipëri madhështore, por që është kënetë madhështore”.