
Sot, më 23 prill, në orën 13:00, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej datës 10 shkurt dhe po përballet me disa akuza të rënda. Në seancën e mëparshme, të mbajtur më 16 prill, Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti veprimet hetimore dy mujore ndaj tij, ndërsa mbrojtja kërkoi kohë për shqyrtimin e akteve. Për këtë arsye, seanca u shty për ditën e sotme.
Kryebashkiaku i Tiranës akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, ndaj tij rëndon edhe akuza për “Futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit”.