Lajme
Kryesore

Shtetasi shqiptar Fatjon Shytani akuzohet për kontrabandë emigrantësh nga Kanadaja drejt SHBA-së

Një aktakuzë e bërë publike të martën në një gjykatë federale në Brooklyn ka vënë në qendër të vëmendjes shtetasin shqiptar Fatjon Shytani, banues në Bronx, i cili akuzohet për drejtimin e një operacioni kontrabande të emigrantëve të paligjshëm nga Kanadaja drejt Shteteve të Bashkuara.

Shytani u arrestua të dielën dhe u paraqit përpara gjykatëses federale Lois Bloom pasditen e djeshme. Sipas mediave amerikane, ai përballet me një dënim që mund të arrijë deri në 10 vjet burg nëse shpallet fajtor.

Sipas një deklarate për shtyp nga Prokurori i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Lindor të Nju Jorkut, John J. Durham, dhe Christopher G. Raia, Drejtor Ndihmës i FBI-së në Nju Jork, Shytani dyshohet se ka pranuar një pagesë prej 14 mijë dollarësh nga një agjent i fshehtë, i cili ishte maskuar si klient dhe kërkonte të kontrabandonte partnerin e tij nga Kosova në SHBA.

“Siç pretendohet, Shytani komplotoi për të kontrabanduar emigrantë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara për përfitim financiar, por u pengua nga puna e shkëlqyer e partnerëve tanë të zbatimit të ligjit,” thuhet në deklaratë.

Hetimi është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të qeverisë amerikane për të luftuar imigracionin e paligjshëm dhe krimin transnacional, nën nismën “Operacioni Take Back America”. Autoritetet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese në SHBA, Kanada dhe Shqipëri në këtë rast.

Ndjekja penale kundër Shytanit po drejtohet nga Prokurorët Ndihmës Andrew Roddin, Stephanie Pak dhe Kate Mathews, të cilët e kanë cilësuar çështjen si një kërcënim për procesin e imigracionit dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button