
Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun Lezhë, Agron Gjekmarkaj, sëbashku me kreun e PR-së, Fatmir Mediun, ka prezantuar kandidaten e PD-ASHM-së, Melisa Vuthaj në Milot, si pjesë e koalicionit opozitar.
Në postimin e tij në Facebook, Gjekmarkaj thekson se ‘qeveria në ikje e Edi Ramës nuk e ndalon dot ndryshimin që do përfshijë Shqipërinë në zgjedhjet e 11 majit. Koalicioni ynë nuk është vetëm një bashkim partish, është një bashkim idealësh dhe vizioni për një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme dhe më të begatë’, shkruan Gjekmarkaj.
Postimi i plotë:
Qeveria në ikje e Edi Ramës nuk e ndal ndryshimin, Fitore ✌️✌️
Në Milot, së bashku me kreun e Partisë Republikane, z. Fatmir Mediu, morëm pjesë në prezantimin e kandidaturës së ASHM-së, Melisa Vuthaj, e cila vjen si pjesë e koalicionit opozitar dhe përfaqëson Partinë Republikane, një forcë politike që ka qenë gjithmonë besnike ndaj vlerave të djathta dhe një aleate e qëndrueshme e Partisë Demokratike.
Ne besojmë fort se koalicioni ynë përfaqëson alternativën më të mirë për qytetarët e Milotit dhe të gjithë Shqipërisë.
Programi ynë është ndërtuar mbi baza të forta, ai synon zhvillimin ekonomik të zonës, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e pagave dhe përmirësimin e ndjeshëm të mirëqenies sociale. Mbështetja për fermerët, biznesin e vogël, arsimin dhe shëndetësinë janë prioritete të padiskutueshme. Ne duam një Milot që zhvillohet, që u jep mundësi të rinjve të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vendin e tyre.
Koalicioni ynë nuk është vetëm një bashkim partish, është një bashkim idealësh dhe vizioni për një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme dhe më të begatë.