Klevis Balliu reagim të fortë ndaj Ramës: “Më 11 Maj votojmë kundër këtij që u kërkon fëmijëve të shohin fotot e tij nudo”

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër pas një episodi të ndodhur gjatë një takimi të kryeministrit Edi Rama në Kavajë. Në qendër të debatit kanë qenë disa foto të vjetra të Ramës në një plazh nudistësh, të cilat janë shpërndarë më herët në rrjetet sociale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balliu ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet ligjzbatuese, ato fetare dhe drejtësia, duke e cilësuar këtë si një akt flagrant kundër edukimit moral të fëmijëve dhe familjes shqiptare.
“Mungesa e reagimit nga institucionet arsimore dhe fetare është një akt i turpshëm, është një akt anti njeri. Si shoqëri ne duhet të reagojmë ndaj këtij akti të shëmtuar anti familje,” shkruan Balliu.
Ai i referohet filozofisë që sipas tij synon shkatërrimin e vlerave tradicionale, dhe bën krahasime me shoqërinë amerikane që, sipas tij, është në proces pastrimi nga ndikime të tilla.
“Më 11 Maj votojmë kundër këtij që ju kërkon fëmijëve të shohin fotot e tij nudo. Votojmë për njerëz me moral, për qytetarin, për Shqipërinë dhe Shqiptarët,” përfundon postimin e tij kandidati demokrat.