Damian Gjiknuri nga Tërbaçi: Kërkoj votën tuaj për të vijuar punët e mira dhe për të pasur më shumë peshë politike

Tërbaçi ishte ndalesa e radhës e kandidatit për deputet të Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, i cili gjatë një takimi me banorët e zonës theksoi se është angazhuar prej vitesh me problematikat e këtij fshati.
Në fjalën e tij, Gjiknuri kujtoi kontributin e tij për zgjidhjen e çështjes së ujësjellësit, si dhe nisjen e punimeve për rrugën që lidh Tërbaçin me zonat përreth. “Më vjen mirë që edhe rruga që keni kërkuar ka filluar dhe besoj se brenda vitit do të përfundojë, duke i krijuar Tërbaçit mundësi të vizitohet nga shumë njerëz,” tha ai.
Ai vuri në dukje edhe rëndësinë e rrugës së Lumit të Vlorës dhe paketën mbështetëse të qeverisë për zonat malore, që synon nxitjen e investimeve në turizëm dhe agroturizëm përmes subvencioneve pa risk financiar për aplikuesit.
Gjiknuri theksoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare përbëjnë një pikë kthese për vendin dhe se qytetarët përballen me dy alternativa: “ajo që na çon pas dhe alternativa e Partisë Socialiste, që do të thotë vazhdim i gjithë punëve të mira”.
Duke kërkuar mbështetjen e banorëve të Tërbaçit, ai theksoi rëndësinë e një përfaqësimi të fortë në Kuvend: “Unë do të doja të isha një zë i fortë, jo vetëm për të bërtitur, por për të zgjidhur probleme që ndonjëherë nuk janë aq të thjeshta për t’u zgjidhur”.
“Mos i dëgjoni kur thonë Damiani është i dalë, Damiani është i fituar. Jo. Unë kërkoj të marr votat masive të Qarkut të Vlorës, në mënyrë që të kem peshë politike dhe të kem mirënjohjen dhe borxh moral për votën që do të më jepni,” përfundoi Gjiknuri.