Jonathan Pano akuzon Edi Ramën për ndikim negativ ndaj fëmijëve: “Ky nuk është kryeministër, por kërcënim për shëndetin mendor të brezit të ri”

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në koalicionin PD-ASHM, Jonathan Pano, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për veprime të papërgjegjshme ndaj fëmijëve.
Pano vë në dukje kontradiktat e qeverisë, duke rikujtuar se dikur Rama e kishte cilësuar TikTok-un si rrezik kombëtar për fëmijët, ndërsa sot, sipas tij, është vetë ai që i ekspozon fëmijët në aktivitete politike, në mënyrë të papërshtatshme për moshën e tyre.
“Dikur, Edi Rama na thoshte se TikTok-u ishte një rrezik kombëtar për fëmijët. Sot, në kulmin e fushatës, i nxjerr vetë fëmijët në mes të ditës, me listë në dorë, për të bërë tifozllëk për partinë e tij,” shkruan Pano.
Ai shprehet i shqetësuar edhe për një deklaratë të fundit të kryeministrit, ku sipas tij, u kërkon fëmijëve të kërkojnë në Google foto nudo të tij.
“Ky nuk është kryeministër. Ky është një kërcënim real për shëndetin mendor të brezit të ri. Është koha ta ndalim këtë marrëzi,” përfundon ai.
Në përfundim të postimit të tij, Pano u bën thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë kundër degradimit, për familjen dhe për fëmijët, duke mbështetur Partinë Demokratike dhe kandidaturën e tij.