Sport

Skandal arbitrar në Francë: Lyon shpërthen pas vendimit të diskutueshëm në derbi

Tensionet mes klubeve dhe arbitrave në Francë po arrijnë nivele alarmante këtë sezon. Rasti më i fundit ka ardhur nga derbi i zjarrtë mes Saint-Étienne dhe Olympique Lyonnais, ku një episod i diskutueshëm ka ndezur debat të madh në opinionin sportiv francez.

Gjatë ndeshjes, një ndërhyrje e ashpër e Lucas Stassin ndaj mesfushorit Corentin Tolisso shkaktoi shqetësim të madh. Fillimisht, arbitri François Letexier e ndëshkoi sulmuesin e Saint-Étienne me karton të kuq, por pas konsultimit me VAR-in, vendimi u ndryshua në një karton të verdhë. Ky vendim u konsiderua vendimtar nga Lyon, pasi Tolisso u detyrua të largohej nga fusha me barelë, ndërsa Stassin, që shmangu ndëshkimin e rëndë, realizoi dy golat që i dhanë fitoren 2-1 Saint-Étienne-it.

Presidenti i Lyonit, John Textor, reagoi me tone të ashpra pas përfundimit të ndeshjes.

“Nëse nuk do të ishte kaq dramatike për sezonin tonë, do të qeshnim. Asnjë tifoz nuk beson se ai karton i kuq duhej të anulohej. Ky vendim ndryshoi ndeshjen,” deklaroi ai.

Textor shtoi se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, duke theksuar se OL ka qenë viktimë e gabimeve të përsëritura nga arbitrimi:

“Në dy vitet e fundit janë shtatë raste kur është pranuar se ndaj OL ka pasur gabime arbitrare të konfirmuara nga autoriteti kombëtar. Ky është i teti. Marseja ka pasur katër, çdo ekip të paktën nga dy. Kjo nuk duhet të ndodhë.”

Ai theksoi se problemi është më i thellë se një arbitër i vetëm:

“Nuk po përmend asnjë arbitër në veçanti, por kur numri i gabimeve arrin në tetë vetëm ndaj një klubi, situata bëhet alarmante.”

Ky episod ka tronditur edhe më tej besimin ndaj sistemit VAR dhe cilësisë së arbitrimit në Ligue 1, ndërsa për Lyonin, sezoni po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Debatet pritet të vazhdojnë gjatë javëve në vijim, ndërsa opinioni sportiv francez kërkon përgjegjësi dhe reformë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button