Lajme

Mal i Zi: Sekuestrohet një automjet luksoz i shpallur në kërkim ndërkombëtar

Në kuadër të masave për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftimin e krimit ndërkufitar, autoritetet malazeze kanë sekuestruar një automjet luksoz në pikën kufitare Bozhaj (Hani i Hotit), me hyrje në Mal të Zi.

Sipas njoftimit zyrtar, oficerët e Sektorit të Policisë Kufitare të Malit të Zi kanë ndaluar një automjet të markës “Mercedes-Benz”, tip AMG, seria A45S, me targa rumune, të drejtuar nga shtetasi shqiptar R. A., 43 vjeç. Gjatë kontrollit të të dhënave në sistemet elektronike, rezultoi se për automjetin në fjalë ishte lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga NCB Interpol Italia, që prej muajit shkurt të këtij viti.

Me urdhër të prokurorit kompetent, zyrtarët e Departamentit të Sigurisë në Podgoricë morën në pyetje drejtuesin e mjetit në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ndërsa automjeti u sekuestrua përkohësisht për hetime të mëtejshme.

Policia malazeze thekson se do të vijojë me intensitet luftën kundër krimit ndërkufitar, me fokus të veçantë në identifikimin dhe sekuestrimin e automjeteve të shpallura në kërkim ndërkombëtar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button