Sport

Benjamin Pavard shpjegon festën ndaj Bayernit: “Ishte gëzimi i një fëmije, jo mungesë respekti”

Benjamin Pavard ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas ndeshjes mes Interit dhe Bayern Munichut, ku mbrojtësi francez shënoi gol ndaj ish-skuadrës së tij në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.

Pavard, i cili dikur ishte pjesë e kampionëve gjermanë, theksoi se festimi i tij nuk ishte në asnjë mënyrë një shenjë mungese respekti për Bayernin, por një shpërthim emocionesh që lidhet me rëndësinë e momentit.

“Bayern më ka dhënë mundësinë të bëhem lojtari që jam sot, ka qenë shtëpia ime për kaq shumë vite,” shkruajti ai. “Nuk do ta harroj kurrë nderin që ndjeva duke qenë lojtari i fundit që vesh fanellën me numrin 5 dhe mbaj trashëgiminë e një legjende.”

Pavard theksoi se festa e tij pas golit ishte thjesht “gëzimi i një fëmije që luante në çerekfinalen e Champions League” dhe se në asnjë moment nuk kishte për qëllim të tregonte mungesë respekti ndaj bavarezëve.

“Më shumë dashuri,” përfundoi ai mesazhin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button