Sali Berisha nga Dibra: Prezanton vizionin për “Shqipërinë Madhështore” dhe angazhimet konkrete për ndryshim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar nga Dibra një vizion të ri dhe të guximshëm për të ardhmen e Shqipërisë, të cilin e ka quajtur “Shqipëria Madhështore”. Gjatë një fjalimi të mbajtur përpara mbështetësve, Berisha theksoi domosdoshmërinë për një ndryshim rrënjësor në drejtimin e vendit, duke theksuar se ky vizion ndërtohet mbi politika konkrete dhe jo premtime boshe.
“Shqipëria e së nesërmes nuk ndërtohet me mashtrime, por me politika që ulin barrën mbi qytetarët dhe bizneset, rrisin mirëqenien dhe rikthejnë shpresën”, u shpreh Berisha.
Ai premtoi transformimin e Dibrës, Matit dhe Bulqizës në modele të zhvillimit, me infrastrukturë moderne dhe shërbime të përmirësuara. Në fokus të programit të opozitës, sipas tij, mbetet familja shqiptare, prodhimi dhe një ekonomi që i shërben qytetarëve, jo oligarkëve.
“Shqipëria Madhështore është Shqipëria e prodhimit, e shpresës dhe e kthimit të mijëra shqiptarëve nga diaspora për të ndërtuar jetën e tyre këtu”, tha Berisha, ndërsa paraqiti disa nga masat konkrete që opozita synon të ndërmarrë:
Ulja e tatim fitimit në 10%
Zbritja e TVSH-së në 15%
Ulja e çmimit të energjisë në 6 lekë për bizneset dhe 7 lekë për qytetarët
Ndërtimi i infrastrukturës moderne në veri
Ndalimi përfundimtar i projektit për Skavicën
Në fund të fjalimit, Berisha drejtoi një thirrje të fortë për diasporën dhe qytetarët: “Votoni me dinjitet për të shpëtuar Shqipërinë nga narkodiktatura. Ky është viti i ndarjes nga e keqja.”
Ai theksoi se për opozitën, familja mbetet themeli i shoqërisë dhe garantoi se do të mbrohen të gjitha vlerat tradicionale, përfshirë termat “nënë” dhe “babë”, të cilët, sipas tij, do të sanksionohen në ligj.
“Shqipëria Madhështore është Shqipëria e familjes shqiptare madhështore. Ne jemi dhe do të mbetemi mbrojtës të shenjtërisë së saj,” përmbylli ai.