Lajme
Kryesore

Berisha nga Dibra: Burrat dibranë janë si malet – mjerë kush i sulmon!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili i ka cilësuar burrat e Dibrës si “çyryk”. Gjatë prezantimit të kandidatëve të koalicionit PD-ASHM në Dibër, Berisha iu përgjigj Ramës duke theksuar se burrat dibranë janë të fortë dhe të respektuar, ashtu si malet e tyre.

“Ti erdhe si pushtues në Dibër dhe fole me gjuhën e kopukut. Njëlloj si paraardhësit e tu që i quanin armiq ata që qëndronin për atdheun dhe besimin tek Zoti”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se fyerja ndaj dibranëve është një fyerje kolektive, duke kujtuar qëndrimin e fortë të kësaj treve në mbrojtje të vlerave kombëtare. “Burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon”, tha ai mes duartrokitjeve të demokratëve.

Berisha nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë, duke renditur një sërë akuzash për keqmenaxhimin e fondeve publike, përfshirë aferën e inceneratorëve, shpenzimet luksoze të Ramës dhe mosrealizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.

“Rruga e Kombit ka mbetur peng prej 12 vitesh, ndërsa rruga e Lurës – një bukuri përrallore – është ende e pashtruar”, tha ai, duke shtuar se nëse do të varej nga Rama, ajo rrugë nuk do të ndërtohej kurrë.

Në përmbyllje, Berisha tha se përgjigjen më të mirë ndaj fyerjeve të Ramës e dha një grua dibrane nga salla, e cila i tha kryeministrit se “burrat tanë janë të mrekullueshëm”.

“Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!”, përfundoi ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button