
Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon transparencë të plotë lidhur me problematikat e evidentuara në procesin e shpërndarjes së zarfeve për votuesit e diasporës. Në shkresën e firmosur nga përfaqësuesi ligjor, Franc Nuri, PD kërkon që t’i vihen në dispozicion të gjitha proces-verbalet që dokumentojnë problematikat në të 12 qarqet e vendit.
Sipas PD-së, janë raportuar një sërë shkeljesh të standardeve dhe protokolleve të shpallura publikisht nga KQZ në lidhje me dërgimin e zarfeve me fletët e votimit përmes postës private. Këto shqetësime kanë ardhur nga qytetarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët pretendojnë se nuk kanë marrë materialet zgjedhore në kohë ose në mënyrë të rregullt.
PD kërkon gjithashtu që të gjitha komunikimet mes KQZ-së, kompanisë postare DHL, si dhe kompanive prodhuese të zarfeve dhe nënkontraktorëve të tyre, që nga momenti i konstatimit të problematikave deri në ditët e sotme, të bëhen publike dhe të përditësohen në kohë reale. Kjo, sipas PD-së, është thelbësore për të garantuar transparencën dhe respektimin e interesit publik në një proces zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm.