Operacioni “Operacionalja”/ Arrestohen në Dibër dhe Fushë-Krujë dy të kërkuar ndërkombëtarisht nga Italia

Policia e Shtetit vijon me intensitet operacionin policor të koduar “Operacionalja”, i shtrirë në disa qytete të vendit për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Brenda 12 orëve të fundit, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale ka finalizuar me sukses dy faza të tjera të operacionit, duke çuar në pranga dy shtetas të rrezikshëm, të kërkuar nga autoritetet italiane për vepra të rënda penale.
Në kuadër të fazës “Operacionalja 39” është arrestuar në Dibër shtetasi Klodian Llomi (Mazari), 34 vjeç, banues në Maqellarë. Ky shtetas ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Romë me 6 vjet, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.
Ndërkohë, në kuadër të fazës “Operacionalja 40”, u arrestua në Fushë-Krujë shtetasi Roland Ibrahimi, i njohur edhe me emrin Ali Meci, 40 vjeç, banues në Laç. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Torinos me 4 vjet e 3 muaj burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Vjedhje e rëndë”.
Operacioni “Operacionalja” vijon në disa qytete të vendit për të kapur persona të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për kapjen e të kërkuarve nga drejtësia.