Lajme

Damian Gjiknuri në Delvinë: Pensioni minimal do të arrijë në 20.000 lekë në vitin 2026

Kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, zhvilloi një takim elektoral me pensionistët dhe ish-ushtarakët në Delvinë, ku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e tyre ndër vite dhe theksoi angazhimin e qeverisë për rritjen e pensioneve.

Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri deklaroi se qeverisja e Partisë Socialiste ka krijuar tashmë kushtet financiare për rritjen e pensioneve, veçanërisht atyre minimale. “Në vitin 2026, pensioni minimal do të jetë 20.000 lekë dhe ai mesatar 40.000 lekë. Kjo është rezultat i punës së mirë të kësaj qeverie dhe rritjes së kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore”, u shpreh ai.

Ai nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një trajektore zhvillimi dhe krenarie kombëtare. “Ju, si ish-ushtarakë që i keni shërbyer atdheut me përkushtim, sot e shihni se Shqipëria është bërë një vend më dinjitoz”, theksoi Gjiknuri.

Gjatë takimit, kandidati socialist ndaloi edhe te investimet konkrete në Delvinë, duke përmendur rrugën Kardhiq–Delvinë dhe projektin e ujësjellësit. “Kam qenë zë i fuqishëm për këtë zonë dhe do të vazhdoj të jem. Infrastrukturën e kemi përmirësuar, furnizimi me energji është më i qëndrueshëm. Të gjitha këto janë prova të angazhimit tim për Delvinën”, tha ai.

Duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve, Gjiknuri u shpreh se një votë masive për të dhe për Partinë Socialiste do t’i japë atij kredibilitetin dhe forcën politike për të qenë zëri i zonës. “Nëse marr votën maksimale nga Qarku i Vlorës, nuk largohem më nga ky qark. Ky është angazhimi im moral dhe politik”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, pensionistët dhe ish-ushtarakët në takim shprehën mbështetje të padiskutueshme për Gjiknurin dhe Partinë Socialiste, duke e cilësuar atë si njeriun që mund të sjellë zhvillim dhe mbështetje për Delvinën. “Delvina është me ju dhe për ju, për të ardhmen e kësaj zone”, thanë ata.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button