Berisha në Berat: Prezanton kandidatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”

Teksa fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka hyrë në një fazë intensive, Partia Demokratike ka shtuar ndjeshëm aktivitetin në terren. Lideri demokrat, Sali Berisha, pritet të jetë këtë të enjte në qytetin e Beratit, ku do të prezantojë kandidatët e koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për këtë qark.
Sipas njoftimit të Zyrës për Media të PD-së, takimi do të mbahet në ora 18:30, ku Berisha do të prezantojë para qytetarëve ekipin që do të kërkojë mbështetjen në këtë zonë.
Ndërkohë, paraditen e së enjtes, Berisha zhvilloi një takim me prodhuesit e bimëve medicinale në Tiranë. Ai u zotua për mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj tyre përmes subvencioneve dhe kompensimit të eksporteve në rast të ndikimit nga tarifat amerikane. Në këtë kontekst, Berisha theksoi se do të angazhohet në negociata me administratën e presidentit Donald Trump për të mbrojtur interesat e eksportuesve shqiptarë.
Fushata e PD-së vijon me një agjendë të ngjeshur, ku kryedemokrati është përqendruar në takime me sipërmarrës, prodhues vendas dhe bizneset e vogla, duke prezantuar programin dhe zotimet e tij për një Shqipëri ndryshe.