
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është shtyrë për herë të radhës seanca e parë gjyqësore për dosjen e njohur si “5D”. Shkak për shtyrjen u bë zëvendësimi i avokatit mbrojtës të Redi Mollës, ndërsa një tjetër avokat kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e çështjes. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 30 prill.
Në këtë proces gjyqësor, ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato po gjykohen për korrupsion pasiv, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim parash. Ndërsa të akuzuarit e tjerë, Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia, do të përballen me akuzën për shkelje të barazisë në tenderë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), hetimet kanë provuar se Molla dhe Qato, në pozitat e tyre si ish-drejtues të shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a dhe Bashkisë Tiranë, ishin pronarët “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke përdorur emra fiktivë si përfaqësues ligjorë të saj.
Vetëm në këtë dosje të referuar për gjykim, kompania ka përfituar 12 tendera me një vlerë totale prej rreth 2 milionë euro gjatë viteve 2016-2020. Gjithashtu, është zbuluar se në periudhën 2016-2018, kur Qato mbante postin e drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT, kompania “5D” ka përfituar në mënyrë të parregullt 4 tendera nga Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.
Procesi ndaj të pandehurve pritet të vijojë në fund të këtij muaji, me SPAK që ka theksuar rëndësinë e këtij rasti për luftën kundër korrupsionit në administratën publike.