Durrës – Arrestohen tre persona, mes tyre një 43-vjeçar që mbante armë pa leje

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër armëmbajtjes pa leje, duke vënë në pranga tre shtetas. Në kuadër të operacionit të koduar “Shadow”, të zhvilluar mbi bazën e inteligjencës informative, është arrestuar në flagrancë 43-vjeçari Dritan Agasi, i cili u kap me një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me municion luftarak.
Kontrolli u ushtrua në ambientet e një lokali në lagjen nr. 11 të qytetit bregdetar, ku u gjet dhe sekuestrua arma e zjarrit në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në pranga kanë rënë edhe Artur Karamuça, 47 vjeç, dhe Florenc Berberi, 43 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi, pasi kishin dijeni për ngjarjen, por nuk e kishin denoncuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.