Sport

Inter eliminon Bayern dhe feston kualifikimin në gjysmëfinale

Inter ka siguruar kualifikimin në fazën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas një barazimi emocionues 2-2 në “San Siro” kundër Bayern Munich. Italianët kishin fituar ndeshjen e parë dhe falë performancës së përgjithshme në të dyja përballjet, kaluan me meritë më tej në kompeticion.

Trajneri Simone Inzaghi nuk i fshehu emocionet pas ndeshjes: “Është një mbrëmje e bukur për skuadrën dhe tifozët tanë, kundër një rivali të fortë. Në këto dy ndeshje dhamë gjithçka. Duhet ta shijojmë këtë mbrëmje, është frut i sakrificave”, u shpreh ai.

Heroi i ndeshjes ishte kapiteni Lautaro Martinez, i cili konfirmoi formën e tij të shkëlqyer dhe shpirtin luftarak të skuadrës: “Këtë fitore do ta kujtojmë gjatë. Inter është një skuadër që nuk dorëzohet kurrë. Vuajtëm ndaj Bayern, por treguam se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Ndeshja me Barcelonën do të jetë e rëndësishme, por tani fokusohemi në kampionat”.

Ndërkohë, në kampin gjerman situata nuk është optimiste. Trajneri Vincent Kompany pranoi realitetin: “Kam emocione të përziera, por e dimë që nuk do të kemi mundësi të luajmë në finalen e Mynihut. Dëmtimet ndikuan shumë, por gjithsesi treguam një Bayern të mirë në momente të caktuara. Më vjen keq për këtë rezultat.”

Inter tashmë sheh përpara sfidës së radhës në gjysmëfinale, ku do të përballet me Barcelonën në një përballje klasike evropiane.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button