Pezullohet lundrimi për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit në Vlorë, tragetet operojnë normalisht

Për shkak të kushteve atmosferike të paqëndrueshme, Kapiteneria e Portit në Vlorë ka njoftuar pezullimin e lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit të sotëm, 17 prill 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo masë është marrë për arsye sigurie, për shkak të përkeqësimit të situatës hidrometeorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës. Era pritet të fryjë me drejtim jug-juglindje dhe me shpejtësi deri në 15-20 metra në sekondë, ndërsa lartësia e dallgëve pritet të arrijë nga 1.5 deri në 2 metra.
Megjithatë, pezullimi nuk prek tragetet e linjës Vlorë – Brindisi – Vlorë, të cilat do të vijojnë të operojnë normalisht sipas orareve të planifikuara.
Kapiteneria bën me dije se përmirësimi i kushteve atmosferike pritet të ndodhë në orët e mbrëmjes së sotme.