Lirohet autori i dyshuar për vrasjen e shqiptarit Bledar Dedja në Itali

Autori i dyshuar për vrasjen e shqiptarit Bledar Dedja, i cili u gjet i pajetë më 21 janar 2024 në një zonë pyjore në Via Dei Carpini, Pieve del Grappa, Itali, është lënë i lirë me vendim të Gjykatës për të Mitur të Venecias.
Sipas mediave italiane, gjykata pranoi kërkesën e avokates së të miturit, duke vendosur që ai të ndjekë një program kuroje psikologjike në komunitet.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas një marrëdhënieje që dyshohet se kishte nisur rreth një vit më parë mes 39-vjeçarit shqiptar dhe 17-vjeçarit, të cilët ishin njohur në ambientet e punës së viktimës. Dyshohet se Dedja e kishte bindur të miturin të kryente marrëdhënie në këmbim të parave.
Ditën e krimit, i mituri është kapur nga kamerat e sigurisë në sheshin e Paderno del Grappa, aty ku pritej të takohej me Dedjen. Të dy më pas janë filmuar duke udhëtuar me makinën Mercedes B-Class të shqiptarit drejt pyllit ku ndodhi edhe krimi.
Pas vrasjes, 17-vjeçari dyshohet se ka eliminuar provat duke hedhur thikën e krimit, çelësat e makinës dhe disa rroba të përgjakura pranë vendngjarjes. Gjatë përleshjes, ai thuhet se ka marrë edhe vetë plagë me thikë në dorë.
Pas krimit, i mituri është larguar në këmbë dhe është filmuar nga një tjetër kamerë sigurie duke i bërë autostop një automjeti që e çoi në stacionin e autobusit. Gjurmët e tij humbën për disa orë, derisa ai u shfaq në një urgjencë spitali për të mjekuar plagët.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa vendimi për lirimin e autorit të dyshuar ka ngjallur debat mbi trajtimin ligjor të të miturve në raste të tilla.