Lajme

SPAK kërkon 4 vite e 3 muaj burg për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka – dyshime për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 4 vite e 3 muaj burg për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i cili akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj kolegëve të tij, përfshirë edhe në favor të personave të përfshirë në dosjen e bujshme “Toyota Yaris”.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, një prej episodeve më të rënda ndaj Zarkës lidhet me një rast në vitin 2020, ku ai dyshohet se ka ndikuar tek një vartës i tij për të mos nisur një procedim penal për ndërtimin e paligjshëm të një hoteli në Vlorë. Prokuroria pretendon se Zarka i ka dhënë prokurorit Erion Shqarri shumën prej 3 mijë eurosh për të favorizuar një biznesmen të fuqishëm, duke shmangur kështu ndjekjen penale ndaj tij.

Hetimet tregojnë se vendimi për mosfillimin e çështjes është marrë nga Shqarri pas bisedave mes tij, Zarkës dhe avokatit të biznesmenit të kallëzuar, duke forcuar dyshimet për ndikim të paligjshëm.

Megjithatë, ndërsa ndaj Zarkës janë ngritur akuza të plota, prokurori i dyshuar si i ndikuar, Erion Shqarri, nuk është marrë nën hetim. Përkundrazi, ai është promovuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pas arrestimit të Zarkës në korrik 2024, Shqarri u caktua si drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Vlorës në tetor, pozitë që iu rinovua edhe për tre muaj të tjerë në janar 2025.

Në mënyrë paradoksale, në shkurt të këtij viti, KLP e vlerësoi Shqarri si “shkëlqyeshëm”, pavarësisht dyshimeve serioze për përfshirje në korrupsion, të evidentuara nga SPAK.

Një tjetër detaj interesant është fakti se Shqarri është bashkëshorti i Anita Jellës, një nga prokuroret aktuale të SPAK-ut, e cila u emërua në korrik 2024 me miratim nga Komisioni i Posaçëm i ngritur nga kreu i SPAK, Altin Dumani.

Rasti ngre pikëpyetje të forta mbi standardet e integritetit dhe mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button