Lajme

Berisha premton investime në turizëm, kritikon ashpër aeroportin e Vlorës dhe qeverinë Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka premtuar investime të rëndësishme në turizëm, me fokus të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës. Gjatë një takimi me përfaqësues të shoqatave të turizmit në Tiranë, Berisha kritikoi ashpër mënyrën si janë kryer disa projekte aktuale, veçanërisht ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Sipas Berishës, ky aeroport është ndërtuar në një habitat me rëndësi të veçantë natyrore dhe përfaqëson një shembull të keqmenaxhimit dhe abuzimit me fondet publike nga qeveria socialiste. Ai tha se ndërtimi në këtë zonë ka sjellë refuzime bashkëpunimi nga organizata ndërkombëtare, për shkak të dëmeve mjedisore që shkakton.

“Ne e konsiderojmë shumë problematik aeroportin e Vlorës. Jo se nuk duhej të ndërtohej, por jo aty ku u ndërtua. Ne kishim përcaktuar një zonë tjetër midis Vlorës dhe Fierit, larg habitatit natyror, që do t’i shërbente një zone më të gjerë, përfshirë Beratin dhe jugun e vendit”, tha Berisha.

Ai akuzoi qeverinë Rama se e ka kthyer këtë projekt në një “burim të madh vjedhjeje dhe pasurimi”, duke mos kursyer as kritikat për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

“Sa herë shkon Lubia (duke iu referuar Ballukut), thotë se ky është aeroporti më i madh i Ballkanit, por në të njëjtën kohë pohon se është hajdutja më e madhe e Ballkanit,” deklaroi Berisha, duke shtuar se ndërtimi i një aeroporti të tillë në një qytet me vetëm 80 mijë banorë dhe 20 mijë shtretër turistikë, është një projekt i pamatur dhe i motivuar nga korrupsioni.

Sipas tij, kontrata për ndërtimin e aeroportit parashikon që shteti të paguajë për çdo biletë të pashitur nën kuotën prej 600 mijë në vit, çka sipas tij është një barrë e panevojshme për taksapaguesit.

Berisha përfundoi se këto probleme do të adresohen përmes transparencës dhe parimit të “pastrimit të shtëpisë”, të cilin PD e ka si pjesë të programit të saj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button