A PO DEL FITUES PËRPARIM RAMA NGA KJO BETEJË POLITIKE?
Nga përplasja me pushtetin te pyetja që po shtrohet gjithnjë e më shpesh: A po lind lideri i ri në LDK?

Shkruan: Dr. Agim A. Krasniqi
Ekspert i Politikave Publike dhe Qeverisjes Demokratike
E them që në fillim: nuk jam ndër ata që mendojnë se mandati i Përparim Ramës në krye të Prishtinës ka qenë pa mangësi. Kam pasur rezervat e mia për ritmin e realizimit të disa projekteve, për rezultatet e pritshme në disa sektorë dhe për disa aspekte të qeverisjes së kryeqytetit.
Mirëpo, analiza serioze politike, kërkon që performanca qeverisëse të ndahet nga kapaciteti politik dhe lidershipi i një figure publike.
Pikërisht për këtë arsye, zhvillimet e ditëve të fundit meritojnë vëmendje të veçantë. Kjo javë u karakterizua nga përplasja e ashpër politike ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në veçanti Dejona Mihalit dhe ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha.
Polemika nisi pas kritikave të Ramës ndaj Qeverisë në detyrë për mënyrën e trajtimit të rrëshqitjeve të dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku ai ngriti çështjen e përgjegjësisë institucionale për sigurinë publike dhe pasojat tragjike që mund të vijnë nga neglizhenca në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore.
Pas këtyre deklarimeve, ndaj Ramës u zhvillua një fushatë e ashpër politike dhe personale nga figura të Vetëvendosjes. Dejona Mihali, ndër figurat më me ndikim brenda VV-së, reagoi disa herë publikisht ndaj tij, duke përdorur gjuhë të rëndë politike dhe personale. Reagimet e saj u mbështetën nga zyrtarë dhe aktivistë të partisë në pushtet, ndërsa debati u zgjerua edhe me përfshirjen e ministrit në detyrë, Dimal Basha.
Ajo që e bën këtë përplasje më të veçantë nuk është vetëm ashpërsia e gjuhës, por edhe raporti i forcave politike në këtë debat. Përparim Rama, ndonëse dy herë ka fituar garën për Prishtinën nën logon e LDK-së, duket se në këtë përballje nuk mori mbështetje të dukshme nga lidershipi i partisë që e kishte kandiduar. Në anën tjetër, Vetëvendosje u mobilizua publikisht në mbështetje të Mihalit dhe në kundërshtim të Ramës.
Kjo heshtje e LDK-së ngriti pikëpyetje politike: a e konsideron ende LDK-ja Përparim Ramën si figurë të saj politike në Prishtinë, apo e sheh vetëm si një kandidat të dobishëm elektoral? Nëse Rama ka fituar dy herë kryeqytetin nën logon e LDK-së, atëherë mungesa e mbështetjes publike ndaj tij në një përplasje kaq të rëndësishme politike, tregon distancë të pazakonshme ndërmjet partisë dhe kryetarit të kryeqytetit.
Në thelb, kjo polemikë nuk është vetëm debat personal mes Përparim Ramës dhe Dejona Mihalit. Ajo pasqyron një konflikt më të gjerë ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit lokal, ndërmjet propagandës politike dhe përgjegjësisë institucionale, si dhe ndërmjet solidaritetit partiak dhe heshtjes taktike.
Përparim Rama e zhvilloi këtë betejë pothuajse i vetëm, ndërsa VV-ja e ktheu debatin në mobilizim politik kundër tij. Paradoksi i kësaj përplasjeje është se kundërshtarët e tij mund t’i kenë bërë shërbimin më të madh politik. Sa më shumë që është sulmuar si individ, aq më shumë është perceptuar si figura që po përballet drejtpërdrejt me pushtetin.
Në politikë, liderët nuk krijohen në kohë qetësie. Ata krijohen në përballje. Dhe në këtë përballje, Përparim Rama nuk zgjodhi heshtjen. Ai nuk u fsheh pas deklaratave të zyrës për media dhe nuk kërkoi mbrojtje nga të tjerët. Zgjodhi të përballet vetë. Në politikë, kjo quhet lidership.
Sot, LDK-ja ndodhet përballë pyetjes strategjike. A do të vazhdojë me modelin tradicional të opozitarizmit të kujdesshëm, apo do të promovojë figura të cilat kanë dëshmuar se mund të fitojnë zgjedhje kundër Vetëvendosjes?
Përparim Rama nuk është produkt i strukturave tradicionale partiake. Ai vjen nga bota profesionale, nga arkitektura, planifikimi urban dhe përvoja ndërkombëtare. Pikërisht kjo e ka bërë të pranueshëm për elektorat më të gjerë se ai tradicional i LDK-së.
Dy herë ka fituar besimin e qytetarëve të Prishtinës. Dy herë ka mposhtur kandidatët e Vetëvendosjes. Këto nuk janë thjesht statistika zgjedhore. Janë dëshmi se ai posedon atë që politika e quan kapital elektoral.
Nëse nesër Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare, pyetja nuk do të jetë vetëm kush e drejton LDK-në. Pyetja do të jetë kush ka potencialin më të madh për ta zgjeruar elektoratin e saj dhe për ta kthyer partinë në një forcë konkurruese për pushtet.
Për shumë qytetarë dhe për një pjesë gjithnjë e më të madhe të elektoratit opozitar, Përparim Rama po shfaqet ndër alternativat më serioze për të udhëhequr LDK-në në të ardhmen.
Ndoshta është ende herët për të folur për garat e ardhshme brenda LDK-së. Por nuk është herët të thuhet se kjo përballje ka nxjerrë në pah realitet të ri politik: Përparim Rama sot duket më shumë si lider kombëtar i opozitës sesa thjesht si kryetar i Prishtinës.
Dhe nëse LDK-ja kërkon një figurë që mund ta zgjerojë elektoratin e saj, ta mobilizojë opozitën dhe ta bëjë sërish konkurruese për pushtet, emri i tij vështirë se mund të anashkalohet.
Kjo është arsyeja pse, pavarësisht mangësive që mund të ketë pasur në qeverisjen e Prishtinës, fituesi më i madh politik i kësaj beteje nuk duket të jetë pushteti. Përkundrazi. Deri tani, të gjitha shenjat tregojnë se fituesi politik i kësaj përballjeje është vetë Përparim Rama.
Dhe ndonjëherë, pikërisht kështu fillojnë ndryshimet e mëdha në parti.



