Kampi i Shqipërisë: Meloni provon sërish – këtë herë me kriminelë!
Shumica e emigrantëve nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte me ta: ata u zgjuan në qeli natën e së enjtes deri të premten, u vunë në pranga dhe u transportuan me autobus për në qytetin portual të Brindisit në jug të Italisë. Vetëm në port e kuptuan se tani ndoshta do të dërgoheshin në kampet italiane të dëbimit në Shqipëri – dhe kjo ishte pikërisht ajo që ndodhi. Ata u dërguan me anijen e marinës Libra në portin e Shëngjinit dhe prej andej në kampin e dëbimit të Gjadrit, rreth 20 kilometra larg. Sipas mediave italiane, të dëbuarit e transferuar në Shqipëri nga autoritetet italiane janë emigrantë nga Maroku, Tunizia, Algjeria, Nigeria, Egjipti, Pakistani, Bangladeshi, Gjeorgjia dhe Moldavia.

Para se të transferoheshin në Shqipëri, 40 emigrantët ishin internuar në kampe të ndryshme deportimi në të gjithë Italinë. Disa prej tyre kishin kryer vepra penale: pesë ishin dënuar për vepra seksuale, një për tentativë vrasje, të tjerët për vjedhje, vepra të tjera pronësore dhe rezistencë ndaj autoritetit shtetëror. Të tjerë nuk kishin rënë më parë në konflikt me ligjin, por e përbashkëta e të gjithëve është se nuk kanë leje qëndrimi në Itali dhe kanë marrë urdhër të largohen nga vendi. Ata tani do të deportohen nga Shqipëria në vendet e tyre të origjinës, brenda një maksimumi 18 muajsh.
Kostoja prej një miliard eurosh
Transferimi – opozita italiane e quan deportim – i 40 emigrantëve që u kërkohet të largohen nga vendi nga Italia në Shqipëri, është tashmë përpjekja e katërt e qeverisë së djathtë të Giorgia Melonit për të bërë funksionale, kampet e dëbimit ekstraterritorial, të cilët tashmë u kanë kushtuar taksapaguesve italianë rreth një miliardë euro. Të dy qendrat janë rezultat i një marrëveshjeje dypalëshe për migracionin midis Romës dhe Tiranës dhe kanë ekzistuar që nga vjeshta 2024. Deri më tani, të tre përpjekjet e qeverisë për të transferuar azilkërkuesit në kampet shqiptare të dëbimit dhe për t’iu nënshtruar një procedurë të përshpejtuar azili që zgjat maksimumi 30 ditë, kanë dështuar për shkak të kundërshtimeve nga gjykatat italiane.
Me përpjekjen e saj të re për të internuar emigrantë në Shqipëri, Meloni po hedh pjesërisht në det qëllimin fillestar të kampeve: Fillimisht, qendrat e dëbimit ishin të destinuara ekskluzivisht për refugjatët meshkuj me varka nga vendet e sigurta të origjinës, pa asnjë perspektivë për një vendim pozitiv për azilin. Në fakt, të gjithë emigrantët e sjellë në Shqipëri, fillimisht ishin përgjuar nga roja bregdetare italiane në det të hapur dhe ishin dërguar në kampet ekstraterritoriale, pa kaluar nëpër Itali. Qëllimi i qeverisë ishte që ata të mos shkelnin kurrë në tokën italiane. Nga ana tjetër, “mysafirët” e rinj të kampeve, janë ekskluzivisht persona që kanë qenë tashmë në Itali.
Vetëdëmtimi në kamp
Qëllimi i ri i kampeve u bë i mundur me një dekret të qeverisë në Romë më 28 mars. Mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i përdorimit është rënë dakord me qeverinë shqiptare dhe nëse do t’i rezistojë shqyrtimit nga gjykatat italiane. Deputetja italiane socialdemokrate, Cecilia Strada kritikoi faktin se të prekurit ishin vënë në pranga dhe se deri më tani, atyre u ishte mohuar kontakti me avokatët e tyre. Të internuarit ishin të dëshpëruar; tashmë ka pasur tre incidente të vetëlëndimit. Kolegu i partisë së Stradës, Alessandro Zan, i bëri thirrje kryeministrit Meloni që “të ndalojë së dhunuari mikun e saj, Donald Trump dhe të pranojë dështimin e modelit shqiptar”.