Zvicra me tifozë në Prishtinë për sfidën kundër Kosovës më 18 nëntor

Kombëtarja e Kosovës do ta mbyllë kampanjën kualifikuese për Botërorin 2026 me ndeshjen ndaj Zvicrës, e cila do të zhvillohet më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Sipas “Gazeta Express”, Federata Zvicerane e Futbollit ka publikuar detaje për praninë e tifozëve të saj në këtë përballje. Biletat për sektorin e tifozëve zviceranë do të kushtojnë 10 euro, ndërsa çdo tifoz do të mund të blejë maksimumi katër bileta. Shitja e tyre do të bëhet vetëm online, ndërsa data e fillimit të shitjes pritet të njoftohet së shpejti.
Zvicra kishte fituar bindshëm me rezultat 4:0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Cyrih, por sfida e kthimit në Prishtinë pritet të ketë rëndësi të madhe për “Dardanët”. Kombëtarja e Kosovës po vazhdon garën për vendin e dytë që siguron pjesëmarrjen në “play-off”, por matematikisht nuk është pa gjasa as për pozitën e parë në grup, ku rivali kryesor mbetet pikërisht Zvicra.



