Kosova

Anulohen seancat gjyqësore për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin – gjykimi rinis më 3 nëntor

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar anulimin e seancave gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të planifikuara për javën e ardhshme.

Sipas njoftimit zyrtar, seancat e parashikuara për periudhën 27–30 tetor 2025 nuk do të mbahen, ndërsa gjykimi do të rinisë më 3 nëntor 2025, me seanca shtesë të caktuara për datat 17–20 nëntor 2025, siç është përcaktuar në kalendarin e gjykatës.

Ndërkohë, mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka bërë të ditur se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj. Mbrojtja kishte filluar paraqitjen e provave më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë dëshmoi ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Pas tij, dëshmuan edhe Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, dhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark. Më 30 shtator, dëshminë e tij nisi James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, i cili e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar më 29 prill 2022, duke zgjeruar pretendimet për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetishtë.

Në paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që u ngarkohen. Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button