ZRRE refuzon të shtyjë liberalizimin e tregut të energjisë, bizneset paralajmërojnë protesta

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka deklaruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nuk mund të shtyhet, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga komuniteti i biznesit.
Në një përgjigje për gazetën Koha, ZRRE ka theksuar se zbatimi i këtij vendimi është një obligim ligjor, i cili nuk mund të vihet në pikëpyetje për shkak të kërkesave të palëve të interesit.
“Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të lirë të konsumatorëve që nuk i plotësojnë kushtet për shërbim universal është plotësisht në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike si dhe me kuadrin rregullativ në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zbatimin e detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut dhe krijimin e një mjedisi konkurrues, transparent dhe jo-diskriminues”, thuhet në njoftim.
ZRRE ka njoftuar se më 31 korrik, të gjitha bizneset që punësojnë mbi 50 persona ose kanë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, e që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë. Kjo pasi afati 60-ditor i furnizimit të përkohshëm do të përfundojë më 30 korrik.
Në anën tjetër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka paralajmëruar masa të ashpra nëse vendimi nuk shtyhet menjëherë.
“Nëse ZRRE nuk merr sot vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat”, thuhet në reagimin e DhTIK.
Sipas tyre, përgjegjësia për çdo pasojë të krizës eventuale bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që, siç thuhet, po lejojnë zbatimin e një vendimi të padrejtë.