Kosova

Dhoma e Tregtisë paralajmëron masa të ashpra ndaj ZRrE-së: Kërkohet pezullimi i menjëhershëm i liberalizimit të tregut të energjisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke e cilësuar si të njëanshëm, të papërgatitur dhe me pasoja të rënda për sektorin privat.

Në një reagim zyrtar, DhTIK ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave demokratike dhe ligjore, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike, nëse ZRrE nuk merr sot vendim për shtyrjen e menjëhershme të procesit.

“Bizneset anëtare të DhTIK janë thellësisht të shqetësuara për mënyrën si po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon stabilitetin financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend,” thuhet në reagim.

DhTIK thekson se kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë injoruar sistematikisht nga ZRrE, duke krijuar pasiguri në treg dhe duke rënduar barrën financiare mbi bizneset që tashmë përballen me vështirësi të shumta.

“Përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRrE-në dhe institucionet që lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë,” thuhet më tej në njoftim.

Dhoma ka kërkuar pezullimin urgjent të vendimit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit të biznesit në çdo proces që ndikon në funksionimin dhe mbijetesën e tyre ekonomike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button