Zhduket një aeroplan me 50 pasagjerë në Lindjen e Largët të Rusisë

Autoritetet ruse kanë njoftuar se kanë humbur kontaktin me një aeroplan pasagjerësh të tipit An-24, i cili transportonte rreth 50 persona, përfshirë edhe fëmijë, raportoi agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, duke cituar burime nga kontrolli ajror rus.
Avioni, i operuar nga kompania ajrore Angara Airlines, ishte në një fluturim drejt qytetit Tynda në rajonin Amur, në lindjen e largët të Rusisë, afër kufirit me Kinën. Sipas informacioneve të para, aeroplani është zhdukur vetëm pak kilometra larg destinacionit të tij.
Guvernatori i rajonit, Vasilij Orlov, konfirmoi përmes një njoftimi në Telegram se në bord ndodheshin edhe fëmijë. “Të gjitha forcat dhe burimet e disponueshme janë mobilizuar për të kërkuar aeroplanin”, deklaroi ai.
Autoritetet lokale dhe ekipet e shpëtimit po vazhdojnë operacionin e kërkimit në një terren të vështirë, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar për fatin e pasagjerëve dhe ekuipazhit.