Xhaferi: Kuvendi duhet të konstituohet para 26 korrikut, por mungon vullneti politik i Vetëvendosjes

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Krenar Xhaferi, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet para datës 26 korrik, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve në një periudhë të vështirë për vendin.
Në një intervistë për Tëvë1, Xhaferi tha se vonesa në formimin e institucioneve nuk është për shkak të mungesës së numrave, por për shkak të mungesës së vullnetit politik, veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Do të duhej që logjikat e mira të veprojnë në këtë periudhë edhe të konstituohet Kuvendi, sepse vendi është në një situatë të vështirë. Po hyjmë në muajin e gjashtë pas përmbylljes zgjedhore dhe ende nuk kemi asnjë institucion funksional,” u shpreh Xhaferi.
Ai theksoi se Vetëvendosje i ka numrat për të ecur përpara, por po mungon vendosmëria për të zhbllokuar situatën.
“Zakonisht thonë: bllokuesi është edhe zhbllokuesi. Nuk jemi ne bllokues – Vetëvendosja i ka 48 deputetë, i ka 57 që po votojnë zakonisht, edhe tre të Nismës. Po ashtu ka pasur vullnet edhe nga disa deputetë të tjerë për të dalë prej kësaj situate politike. Numrat ekzistojnë, por nuk ekziston ajo ego e liderit që duhet ta kuptojë se koha në të cilën jemi është një kohë tjetër,” deklaroi ai.
Sipas Xhaferit, është urgjente që lidershipi të tregojë pjekuri politike dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit sa më parë.