Zbulohen shkelje në Doganën e Kapshticës, procedohen penalisht 6 zyrtarë për shpërdorim detyre

Policia e Korçës ka zbuluar një rast të rëndë abuzimi në Doganën e Kapshticës, ku gjashtë zyrtarë doganorë, përfshirë Drejtorin e Hetimit Doganor dhe disa specialistë, janë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas hetimeve paraprake, më 15 prill 2025, këta zyrtarë dyshohet se kanë lejuar kalimin e një kamioni me mallra ushqimore pa ndjekur procedurat përkatëse, duke përdorur dokumente të dyshuara si të falsifikuara. Pavarësisht njoftimit për shkeljen, drejtuesit e hetimit doganor kanë vonuar raportimin e rastit për më shumë se 15 orë, duke penguar rrjedhën e hetimeve.
Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, bëhet e ditur se janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit:
V. T., 49 vjeç, banues në Korçë;
E. G., 45 vjeç, banues në Tiranë;
A. E., 39 vjeçe, banuese në Korçë.
Të tre ushtronin detyrën e doganierëve në Doganën e Kapshticës dhe dyshohet se nuk kanë ndjekur praktikat ligjore për ngarkesën me mallra ushqimore, duke lejuar regjistrimin e saj me dokumente të falsifikuara.
Gjithashtu, janë proceduar edhe tre zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Tiranë:
D. D., 38 vjeç, Drejtor i Hetimit Doganor;
G. T., 58 vjeç dhe K. K., 26 vjeç, specialistë për Hetimin Doganor.
Këta shtetas dyshohet se janë njoftuar më 15 prill, rreth orës 22:00, për rastin e falsifikimit të dokumenteve, por nuk kanë informuar strukturat përkatëse deri në orën 15:00 të ditës pasardhëse, duke ndikuar negativisht në vijimin e hetimeve.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ku priten veprime të mëtejshme hetimore.