Tragjedi në lumin Kongo: Të paktën 148 të vdekur pas përmbysjes së një varke motorike

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Republikën Demokratike të Kongos, ku të paktën 148 persona kanë humbur jetën pas përmbysjes dhe djegies së një varke motorike prej druri. Ngjarja ndodhi të martën në lumin Kongo, pranë qytetit Mbandaka, por u raportua nga mediat vetëm të premten, duke iu referuar burimeve zyrtare lokale.
Mjeti lundrues i quajtur “HB Kongolo” po transportonte rreth 500 pasagjerë, përfshirë gra dhe fëmijë. Ai ishte nisur nga porti Matankumu me destinacion zonën Bolomba. Sipas zyrtarit të transportit Compétent Loyoko, zjarri shpërtheu gjatë udhëtimit si pasojë e gatimit në bord nga një grua, çka çoi në përmbysjen e varkës.
Rreth 100 persona kanë arritur të mbijetojnë dhe aktualisht janë strehuar në ndërtesën e këshillit lokal. Të lënduarit janë dërguar për mjekim në spitalet përreth, ndërsa qindra të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.
Aksidente të tilla janë të shpeshta në Kongo, ku varkat tradicionale prej druri përdoren gjerësisht për transport, shpesh duke tejkaluar kapacitetin e lejuar. Vetëm gjatë vitit të kaluar, 78 persona humbën jetën në një aksident të ngjashëm në liqenin Kivu. Autoritetet vendore kanë bërë thirrje për masa më të rrepta sigurie në mjetet lundruese për të shmangur tragjedi të tjera.