Vazhdon kërkimi për shtetasin nga Tropoja që u zhduk gjatë mbledhjes së gështenjave në kufi

Një shtetas nga Tropoja, Florijan Tabaku, i cili është person me nevoja të veçanta, vazhdon të jetë i zhdukur që nga 20 tetori 2025, pasi humbi kontaktin me familjen ndërsa kishte shkuar për të mbledhur gështenja në një mal në brezin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Që nga momenti i raportimit të zhdukjes, kërkimet për të janë duke u zhvilluar në të dy anët e kufirit. Policia e Kosovës kishte njoftuar se në operacion janë përfshirë njësitë për kërkim-shpëtim nga të dyja vendet.
Ndërkohë, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim (SHKKSH) ka njoftuar sot se ekipet e saj janë ende në terren dhe po vazhdojnë kërkimet intensive, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe terrenit malor.
“Ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim kanë filluar një operacion kërkim-shpëtimi në rajonin e Gjakovës, pas kërkesës nga Policia e Kosovës, për gjetjen e Florijan Tabaku nga Tropoja, person me nevoja të veçanta, i cili është raportuar i zhdukur që nga 20 tetori 2025 gjatë mbledhjes së gështenjave në territorin e Kosovës. Ekipet janë në terren dhe po zhvillojnë kërkime intensive për lokalizimin e tij, pavarësisht terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike”, thuhet në njoftimin e SHKKSH-së.
Aktualisht, kërkimet po zhvillohen në zonën malore të Gjakovës, në afërsi të vijës kufitare me Shqipërinë. Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacione për vendndodhjen e Tabakut, t’i raportojnë menjëherë në Policinë e Kosovës.



