Gjykata në Mitrovicë refuzon kërkesat e minatorëve për trustin pensional – Sindikata paralajmëron veprime sindikale

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka filluar shqyrtimin e lëndëve të ngritura nga minatorët e “Trepçës” lidhur me mos-pagesën e kontributeve në trustin pensional, por ka refuzuar kërkesat e tyre. Sipas arsyetimit të gjykatës, punëtorët nuk kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje gjyqësore për realizimin e këtyre kërkesave.
Lidhur me këtë, ka reaguar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”, e cila është shprehur e zhgënjyer me vendimet e gjykatës, duke thënë se kishte shpresuar që drejtësia do të ishte në anën e punëtorëve.
“Por nga informatat zyrtare që kemi, gjykata është duke i refuzuar kërkesat tona, me arsyetimin se ne nuk kemi të drejtë me kërku mbrojtje gjyqësore për realizimin e kërkesave tona për pagesën e kontributit pensional nga punëdhënësi. Shumat që ndërmarrja i ka borxh minatorëve tashmë kanë kaluar në miliona euro”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Sipas Sindikatës, përveç mungesës së kontributeve, minatorët janë dëmtuar edhe nga humbja e fitimeve që Trusti do të kishte realizuar përmes investimeve ndërkombëtare. Ata theksojnë se statusi i minatorit në Kosovë “mbetet i rëndë”, pasi shumë prej tyre, pas dekadash pune të rrezikshme, përballen me pensione minimale dhe mungesë të mjeteve që u takojnë me ligj.
“Është për të ardhur keq që statusi i minatorit në Kosovë mbetet i rëndë. Pas dekadash pune të vështira dhe profesioneve me rrezik të lartë, shumë prej jush përballeni me pensione minimale, ndërsa edhe mjetet që u takojnë nga trusti ju mungojnë, duke e vështirësuar edhe më shumë jetesën”, thekson reagimi.
Sindikata akuzon gjithashtu Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për neglizhencë, duke thënë se për gjashtë vjet nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz ndaj “Trepçës” sh.a., ndonëse është e obliguar të detyrojë ndërmarrjet për pagesën e kontributeve pensionale.
Në reagim theksohet po ashtu se menaxhmenti i “Trepçës” jo vetëm që ka kundërshtuar kërkesat e minatorëve në gjykatë, por edhe ka kërkuar që ata të obligohen të paguajnë shpenzimet gjyqësore.
“I bëjmë thirrje menaxhmentit të Trepça sh.a. që menjëherë nga ky muaj të fillojë pagesën mujore të trustit pensional dhe urgjentisht të hapë dialog me Sindikatën dhe përfaqësuesit e minatorëve për një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Në fund, Sindikata kërkon nga gjykata që t’u lejojë minatorëve të drejtën për qasje në gjykatë dhe paralajmëron se, nëse kjo nuk ndodh, do të ndërmarrë hapat e nevojshëm sindikal për mbrojtjen e të drejtave të tyre.



