Zbulohen 50 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë – Dogana e Kosovës ndërmerr masa ligjore

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar 50 mijë euro të padeklaruara gjatë një kontrolli të detajuar në Pikën Kufitare të Vërmicës.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë procedurës së zakonshme doganore, udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim. Megjithatë, pas një kontrolli të hollësishëm në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë gjetur 50 mijë euro në monedha metalike, të cilat ishin fshehur në pjesën e bagazhit të automjetit.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana e Kosovës ka konfiskuar 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa rasti është dërguar për hetime të mëtejshme në Sektorin e Hetuesisë.
Institucioni doganor ka apeluar tek qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë përmes pikave kufitare të respektojnë detyrimet ligjore dhe të deklarojnë çdo shumë që tejkalon 10 mijë euro, në hyrje apo dalje nga territori i Republikës së Kosovës.
Dogana thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në parandalimin e veprimeve që cenojnë integritetin financiar dhe sigurinë ekonomike të vendit.



