
Forcat Ushtarake Policore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Austria dhe Zvicra, të caktuara në Komandën Rajonale Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), zhvilluan një ushtrim të përbashkët me armë zjarri në poligonin e Kampit Bondsteel.
Sipas njoftimit të KFOR-it në Facebook, njësitë shumëkombëshe përdorën pistoletën shërbyese M17 për të përmirësuar saktësinë, shpejtësinë dhe koordinimin taktik, duke forcuar aftësitë e tyre në qitje dhe përgatitjen operacionale.
Ushtrimet e këtij lloji kanë për qëllim forcimin e ndërveprimit dhe bashkëpunimit profesional mes partnerëve të NATO-s, duke rritur gatishmërinë për të reaguar në mënyrë efektive në çdo situatë të mundshme.
“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme. KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse për sigurinë,” thuhet në njoftim.



