Ukraina kërkon më shumë mbështetje ushtarake nga Perëndimi për shkak të situatës së luftës

Ukraina po intensifikon kërkesat për më shumë armë nga vendet perëndimore, për shkak të shqetësimeve se Rusia nuk është e interesuar për të dhënë fund luftës, pavarësisht dy samiteve të fundit me Shtetet e Bashkuara, raporton rrjeti Radio Evropa e Lirë, Current Time.
Këshilltari i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Mykhaylo Podolyak, tha se Kievi po zhvillon “konsultime aktive” me zyrtarë amerikanë dhe evropianë për të rritur furnizimin me mjete të ndryshme, duke përfshirë raketat me rreze të gjatë veprimi dhe dronët, që konsiderohen të domosdoshme për të influencuar në vijën e frontit.
“Ne e kuptojmë se sa shumë po shpenzon Rusia dhe çfarë burimesh po përdor përgjatë vijës së frontit apo më thellë në territorin tonë,” tha Podolyak. Ai shtoi se këto konsultime synojnë të forcojnë kapacitetin e Ukrainës për operacione kundër pushtuesit.
Rusia vazhdon pushtimin e Ukrainës që nga shkurt 2022, ndërkohë që takimet e fundit ndërmjet presidentëve të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës nuk kanë arritur të çojnë në bisedime konkrete paqeje. Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka pranuar ende takim me Zelenskyn, duke lënë të kuptohet se nuk ka gatishmëri për bisedime të afërta, sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Podolyak tha se politika aktuale e Rusisë bazohet në tre elemente kryesore: fitimin e kohës përmes mashtrimit të Perëndimit, refuzimin e çdo armëpushimi dhe shmangien e sanksioneve të mëtejshme. “Rusia imiton përpjekjet për të negociuar në nivel presidencial, por në realitet nuk ka interes për t’i dhënë fund armiqësive,” theksoi ai.
Ndërkohë, sulmet ruse në rajonin e Sumit kanë shkaktuar vdekjen e një civili dhe plagosjen e nëntë të tjerëve gjatë natës, ndërsa dhjetëra beteja zhvillohen përgjatë vijave të frontit, kryesisht pranë qytetit të shkatërruar të Pokrovskut në Donjeck.
Rusia ka hedhur poshtë gjithashtu idenë që të jetë garantues i sigurisë për një marrëveshje paqeje, ndërsa Kievi dhe aleatët e tij nuk pranojnë që Moska apo Kina të kenë rol në këtë proces.
Zelensky ka nënvizuar se një takim me Putinin do të ishte “rruga më efektive përpara”, por deri tani nuk ka shenja që Kremlini të jetë gati për bisedime reale.
/REL/