Genesio flet për gjendjen e Zhegrovës, ylli kosovar drejt Juventusit?

Edon Zhegrova ishte pjesë e bankës rezervë te Lille në fitoren ndaj Monacos me rezultat 1:0 fundjavën që shkoi, por nuk u inkuadrua në lojë. Trajneri i skuadrës franceze, Bruno Genesio, ka folur rreth gjendjes aktuale të përfaqësuesit kosovar dhe të ardhmes së tij.
“Ai është këtu me ne. Do e shohim nëse do qëndroj deri në fund. Edoni ka nevojë për kohë, pasi nuk ka luajtur që një kohë të gjatë. Ka pasur probleme dhe lodhje në muskuj gjatë pasdites, kjo është një prej arsyeve që nuk luajti,” tha Genesio, duke sqaruar situatën e 26-vjeçarit.
Zhegrova mungoi për një periudhë të gjatë në pjesën e dytë të sezonit të kaluar për shkak të problemeve fizike dhe rikuperimi i tij duket ende në proces.
Ndërkohë, mediat franceze dhe italiane raportojnë se anësori ofanziv ka arritur marrëveshje personale me Juventusin dhe tashmë po pritet vetëm akordi mes dy klubeve. Për lojtarin ka shfaqur interesim edhe Olympique Marseille, por Lille e vlerëson kartonin e tij me 18-20 milionë euro.
Kosovari ka kontratë me klubin francez deri në qershor të vitit 2026.